Varret

Përveçse nga jeta, viktimat e krimit të cilin e kanë kryer pjesëtarët e forcave ushtarake dhe policore jugosllave, përkatësisht serbe, në pranverë të vitit 1999 në Kosovë, po ashtu ishin privuar nga e drejta për një varrim dinjitoz. Trupat e shqiptarëve të vrarë të Kosovës, kryesisht civilë, kanë qenë dëshmitë që duhej të fshiheshin, dhe për këtë arsye ishin hedhur në varreza sekrete në vende të ndryshme nëpër Serbi.

Poligoni i policisë në
Batajnicë u zgjodh si një vend i përshtatshëm për t’i fshehur gjurmët e krimeve masive. Mbetjet mortore të viktimave drejt nga skena e krimit ose të sjellë nga varrezat primare në Kosovë ishin transportuar madje deri në periferinë e kryeqytetit. Njëri prej njerëzve që po i transportonin kufomat kishte qenë premtuar një apartament dydhomësh për të bërë këtë “punë”, por pasi që ky premtim pas luftës dështoi, ai ka nisur të flasë për sekrete të errëta.

Zhvarrimet në Batajnicë filluan më 2001. Me dy vendime të Tribunalit të Hagës është përcaktuar përgjegjësia e zyrtarëve më të lartë të policisë serbe për fshehjen e krimit – për transportim të kufomave nga Kosova, pastaj varrim të tyre në Batajnicë e gjetiu në Serbi. I ballafaquar me provat konzistente të aktgjykimit të shkallës së parë të Hagës, pjesëmarrjen në këtë proces pjesërisht e ka pranuar gjatë procesit të apelit ish kryetari i Resorit të Sigurisë Publike të MPB-së së Serbisë – gjenerali i policisë Vllastimir Gjorgjeviq, i cili me vendimin përfundimtar është dënuar me 18 vjet burg.

Në varrezat e Batajnicës janë zbuluar mbetjet mortore të 700 viktimave të krimeve të kryera në disa vende të Kosovës, sipas një shablloni të ngjashëm, me grabitje dhe dëbime të dhunshme të popullatës civile.